Muzeumet Kombetar Berat Muzeu Ikonografik Onufri Muzeu Etnografik Arkeologjia English Shqip
 
 

Qendra Kombetare e Muzeumeve Berat - Studime

Kastriot Dervishi
Tradita e argjendarisë në Berat
Shtator 2007

  Tradita e argjendarisë në Berat

        Zeja e argjendarisë ka qenë mjaft e zhvilluar në qytetin e Beratit. Stolitë prej argjendi e ari i njohim nga gjetjet arkeologjike, i ndeshim në monedhat prej ari e argjendi. Qyteti më i zhvilluar nga pikëpamja ekonomike në fund të shek. XVI ishte Berati, i cili kishte mbi 1 000 shtëpi dhe më shumë zejtarë e tregtarë se qytetet e tjera (638 zejtarë e 13 tregtarë). Sipas një udhëtari, duke qenë i vendosur në një vend pjellor dhe i lidhur me rrugë tregtare me Vlorën, Berati “ishte një qytet shumë i pasur me sende të ndryshme për nevoja të njeriut”.
Zhvillimi i lartë i zejtarisë artistike në shekujt XIV-XV.
Tradita e zejeve të argjendarisë, sikurse ajo e zejeve të tjera, nuk u ndërpre në shekuj. Me rritjen, zhvillimin dhe pasurimin e qytetit të Beratit në shek XVIII dhe mezi i shek.XIX u rrit kërkesa për objekte luksi si për qytetarët e Beratit, ashtu edhe për të huajt. Të shumëllojshme ishin prodhimet e argjendarëve.
Tradita e argjendarisë në Berat është e hershme, Evlia Çelebiu në udhëtimin e tij në vitet 1671-1672 shkruan: “Beratasit ndahen në tri kategori: intelektualët, punëtorët dhe artizanët, të cilët kanë në dorë tregtinë dhe të gjitha punët artizane. Ndër ta ka qëndistarë, opingarë, argjendarë, mestexhinj, remtarë e regjës lëkurash”.

Qëndra e pazarit të vjetër, Berat    

        Zeja e argjendarisë gjeti kushte të përshtatshme për zhvillim në të gjitha qendrat e prodhimit të mallrave për treg. Gjysma e dytë e shek XVII- fillimi i shek XVIII arriti zhvillim të gjithanshëm. Burimet e dokumentet e kohës tregojnë se në disa qytete të Shqipërisë, si Shkodër, Prizren, Elbasan, Berat e Voskopojë, ku zeja kishte lulëzuar më tepër, numëroheshin me dhjetëra punishte argjendarie .
Punët e mjeshtërve më të mirë të shekujve XVII, XVIII, XIX i gjejmë në objektet e kultit, në enët, në orenditë dhe stolitë e përfaqësuesve të shtresave të larta të shoqërisë feudale.
Vlen të përmendet relacioni i z/konsullatës franceze në Janinë më 1887, ku shkruhet: “Gjithashtu në Prefekturën e Beratit punohet filigrana” dhe një vit më vonë po kjo z/konsullatë, 22 gusht 1888, shkruante:
“Puna e filigranës dhe qendismat me ar që angazhonin një pjesë të madhe të popullsisë së Beratit, janë lënë pas dore”. Ky relacion tregon për një rënie në këtë kohë. Këto dokumente, si dhe mjaft objekte që ruhen akoma në muzeumet kombëtare “Onufri dhe Etnografik” si dhe në familjet e Beratit, tregojnë për zhvillimin e traditës së argjendarisë në qytetin e Beratit në vazhdimësi.

Mjeshtrit e argjendarisë në objektet e kultit
Në Berat kishte mjeshtër të shquar në pikturë, në punimin e arit e të argjendit, në gdhendjen e drurit. Porositës i veçantë i punëve të tyre ishte kisha, për llogari të së cilës ata punuan miniaturat elegante të kodikëve, afresket, ikonat, ikonostasët, pajisjet e orenditë e çmuara të kultit, që pjesërisht ruhen deri sot. Porositës të veprave me vlerë artistike ishin gjithashtu qytetarët si dhe përfaqësues të aristokracisë.
Në objektet e kultit kjo traditë është shumë e zhvilluar. Shkalla e realizimit është e një niveli të lartë si në zbukurimin e kryqeve, kuti lipsanash, pajisje liturgjike, ungjill, kupë kungimi, skipter, mbajtëse qirinjsh të realizuara këto në ar, argjend, bronz. Nga koleksioni i objekteve liturgjike, si dhe nga shënimet e lëna në këto objekte nga mjeshtrat argjendarë në mbishkrimet e objekteve liturgjikë, Theofan Popa zbulon emrat e mjeshtrave argjendarë në librin “Mbishkrime të kishave në Shqipëri”, ku kemi të dhëna shumë të sakta.
Një vepër e jashtëzakonshme është edhe Epitafi i Gllavenicës "U plotësua (u qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëses, së patundur me shpenzimin dhe mundimin e Peshkopit të gjithëhirshëm, Kalistit të Glavenicës dhe të Beratit, në muajin mars 22, viti 6881 (d.m.th 1373 pas Krishtit). Ti që zotëron jetën, ah si fiton i vdekur dhe pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Shqipërisë (Albanit) vëllezërve Gjergji dhe Balsha. Dora e Gjergj Arianitit dhe arqëndisësit". Mbishkrimi është qëndisur me ar dhe argjend, në dy shtylla paralele pranë kokës dhe këmbëve të figurës së Jezu Krishtit.


Epitafi i Gllavenicës, viti 1373       

       Në një mbishkrim që gjendet mbi një kryq të vjetër të kishës së Shën Spiridhonit në Goricë, që i përket vitit 1616, shkruhet: “Dora e Dhimitër Hrisou, argjendarit”.Më 1729 Gjergj Voskopojari ka punuar kapakët prej argjendi të ungjillit të kishës së Shën Mërisë në Kala, kurse në 1754 nga dora e Janko Voskopojarit gjendet shënimi mbi një skipter, nga argjendari Gjergj Episkioti më 1757, me dorën e mjeshtër Petous Mokrundi, më 1755, me dorë e prift Nikollës më 1766. Mjeshtër Kostë Kalariti 1827. Argjendari, Stergji Dhimitër Goga 1860, qershor 21. Me dorën e Mihalit dhe Kostandinit fjonatëve, 1861 dhjetor 19. Prej dorës së argjendarit, Gabriel Dh. Buda, viti 1883, qershor 28. Me dorën e Gabriel D. Tiranasit, viti 1885, nëntor 11”. Vlen të përmëndim orendi kulti të vitit 1660, në Berat kapak libri punuar me rrahje dhe skalitje nga mjeshtri argjendar Filip Athanas Voskopojari.

 

Pra, siç shihet nga këto të dhëna argjendarët kanë vendosur emrin në objektin e realizuar. Kjo ka për qëllim në radhë të parë t’iu tregojë porositësve nivelin e lartë të mjeshtërisë, por njëkohësisht edhe konkurencën e madhe që ka pasur midis tyre. Kjo konkurencë ka sjellë edhe përzgjedhjen e herëpashershme edhe të mjeshtrave nga krahina të tjera, pasi drejtuesit e lartë të kishës ishin të interesuar për nivelin dhe cilësinë e lartë të objektit që porosisnin.

 
 
   

 

Gabriel Dh. Buda

Nga këto të dhëna tepër të sakta të mbishkrimeve bien në sy emrat e argjendarëve vendas nga Berati. Këtu mund të themi me siguri se Gabriel Dh. Buda është nga Berati. Mbishkrimi gjendet i gdhendur në reliev në mbulesën në formë amfia prej argjendi të ikonës së madhe të shën Spiridhonit në kishën e shën Spiridhonit, në Goricë të Beratit në të cilin shkruhet: “Kjo ikonë u bë me kontribut të përbashkët,, me blerjen e argjendit, kurse punën grosh 300 e ka dhuruar zonja Agni, e shoqja e zotit Filip nga Lagja Goricë, në qytetin e Beratit, në kohën e peshkopimit të zotit Anthim Aleksudhit, nga Madhiti i Thrakisë, në kohën e kujdestarisë së zotit Naum Ajaço.

Mbulesa e Ikonës së shën Spiridhonit, vepër e Gabriel Dh. Buda, 1883
Prej dorës së argjendarit, Gabriel Dh. Buda, viti 1883, qershor 28. Me nxitjen e papa Gjergj Varelit, nga katundi Kompot këtu. Er. (?) Arta.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

    Një tjetër vepër e Gabriel Dh. Budës është edhe kapaku i ungjillit i vitit 1894 në të cilin shkruhet: “Libri u përfundua nga dora e argjendarit Gavril DH. K 22 dhjetor 1894”

Kapaku i ungjillit i vitit 1894
Gabriel Dh. Buda
   

 


          Këtë e vërteton më së miri tashmë edhe trashëgimia e familjes Buda në fushën e argjendarisë. Sipas argjendarit Dhimitër Buda, i cili e vazhdon këtë profesion edhe sot, ai flet për një vazhdimësi pa ndërprerje të profesionit në këtë familje të paktën në gjashtë breza, ai kujton Dhimitrin, Gavrilin, Todin, Vangjelin dhe së fundi Dhimitër Buda me djalin e tij Gavrilin

 

 

 

 

 

 

 
Argjendari Dhimitër Buda.

 

 

 

 

 

       AGATHANGJEL MBRICA. 1883-1957

       Për këtë argjendar kemi më tepër të dhëna. Lindi ne qytetin e Beratit. I ati i tij Dhimitraqi ka qënë qëndistar, punonte fileto, sako, fustanella si edhe me filigran, kishte lidhje me qëndistarët e krujës dhe t.
Nisi profesionin e argjendarit në moshën 14 vjeçare. Në punën e tij si zanatçi filloi të futë elementë të artit të aplikuar.
Punoi objekte te ndryshme zbukurimi e stolie, objekte liturgjike, si dhe figurina të ndryshme.
Argjendari i quajtur Leksi i Sakos i cili mori çirak në dyqanin e tij Agathangjel Mbricën, (Sako, Vasil dhe Aleksi Kola nga Kalaja ) qe e mori çirak ne dyqanin e tij. Aty hodhi hapat e parë në profesionin e argjendarit.
Kjo vërteton se familja Mbrica nuk kishte para Agathangjelit mjeshtër të tjerë. Në fund të shekullit XIX ishte mjeshtri me i ri në Tregun e Pazarit ku do të hapte dyqanin e tij. Ne vitet 30 hyn në mjeshtrat e rrallë të argjendarisë shqiptare.
Mjeshtri ishte teper i sakte si fonditar, njihte mirë vetite e metaleve si bakër, argjend, kallaj, flori etj, që kishin pika të ndryshme tretjeje.

 

 

 

 

 

 

 

 

Ai mbeti përjetë besnik i dyqanit të thjeshte, besnik i atij kompasi të vogël që ishte bërë gati proverbal për mjeshtrin.
Në kushtet e një pasioni e aftësish të rralla mjeshtërore të Mbrices, duhet thënë se ai si zanatçi filloi të futë elemente të artit të aplikuar.
Kjo është arsyeja që kishte shkëputje nga pikpamja profesionale me argjendarët beratas të gjysmës parë të shekullit XX, si Mit Mbrica,Vangjel e Todi Buda, Harilla Basko etj.
Më pas ka pasur vetëm dyqane shërbimi argjendarie, pasi pas viteve 40, kjo zeje pushoi. Rënia kishte filluar që në vitet 1888 sipas fakteve që dhamë më sipër. Agathangjel Mbrica vdiq në vitin 1957.
 
Kobure të realizuara nga Agathangjel Mbrica
   
    Mund të përmëndim nga të dhënat mjaft objekte të rëndësishëm të mjeshtrit Agathangjel Mbrica: Në vitin 1938, një shqiponjë dykrenare me portretin e Skënderbeut dhe çifti mbreteror në mes. Për motrat e Zogut: shkop, stoli, kuti duhani, një pëllumb i artë paqeje, i punuar me 1950 për Stalinin, pendën e argjendtë e porositur nga intelektualët e Beratit si dhuratë për poetin Gjergj Fishta, dhe një medalion po nga mësuesit e shkollave të Beratit, dhuruar Avni Rustemit.
    Por ikona “Ngjitja në qiell e Profet Ilias” që ruhet në muzeun ikonografik “Onufri” është vepra që kemi, dhe mund të nxjerrim konkluzione të sakta mbi aftësitë e tij profesionale. Kjo vepër mund të quhet edhe fundi i mjeshtërisë së argjendarisë në qytetin e Beratit. Njëkohësisht Agathangjeli është i fundmi i zejes së argjendarëve. Pas tij kjo zeje pushoi, ndërsa ekziston tashmë në formën e shërbimit.

    Ikona “ Ngjitja në qiell e Profet Ilias”

    E vetmja vepër e Agathangjel Mbricës që ruhet në muzeun “Onufri” është realizuar në fletë bronzi në teknikën e rrahjes.
Objekti është një realizim i vitit 1929, marre nga koleksioni i kishës së Profet Elia në lagjen “Përrua”, Berat.
Në librin e mbretërve Profeti thotë: « Këto vite nuk do të ketë shi pa komandën time.
Në vitin e tretë Elia sakrifikoi një viç dhe kështu iu hoqi maskën profetëve fallco. Atëhere bie zjarri i Zotit dhe ndodh katastrofa. Perballë lumit Jordan, së bashku me apostulin Eliseo, përpara se të ngjitet në qiell me karrocën e zjarrtë Elia merr mantelin e tij e palos dhe përshkon ujërat duke i ndarë ato.”

 
   
   
Profet Elia e Agathangjel Mbricës, në greqisht.   Profet Elia e Agathangjel Mbricës, 1929, në shqip
 
Në pjesën e poshtme është shkruar: “Në kohën e kujdestarëve Perikli Xheka, Nasi Mishaxhi në vitin 1929, punuar prej Agathangjel Mbërica, Berat”*
Parë nga pikpamja artistike vepra është naïve, artisti anon nga mjeshtri popullor. Eshtë nga të parat ikona e shkruajtur në gjuhën shqipe. Kemi të bëjmë me një argjendar të mirfilltë, jo me një artist. Vërehet qartë paaftësia e tij për të
  vizatuar figurat e shenjtorëve dhe të kalit. Është në nivelet e artistit naiv, por shihet përsosmëria në vizatimin e ornamentikës, kjo falë ndihmës së kallëpeve e specifikave të profesionit.
Një tjetër vepër e Agathangjelit është edhe kryqi i pikturuar ne vitin 1850, dhe argjendi është vendosur në vitin 1939 nga Agathangjel Mbrica. Ky krtq pas viteve 1990 është vendosur në një nga kishat e Myzeqesë nga mitropolia e Beratit.
Kryq argjendi viti 1939, Agathangjel Mbrica
 
        Një tjetër vepër e rëndësishme e Agathangjelit është Ungjilli Shën Marisë.
Në të shkruhet:” muaji i parë i vitit 1907, Epitropit Sotir Thoma, K. R. S.I. Agathangjel Pf Mbrrica”
  Ungjilli i Shën Marisë, Agathangjel Mbrica
1907
 
    Koleksioni i objekteve të Muzeut Etnografik
     Punimet e ekspozuara të punuara nga mjeshtërit e punimit të arit, argjendit dhe bronzit janë të realizuara kryesisht nga mesi i dytë i shekullit XIX. Objekte të ndryshme zbukurimi si byzylykë, unaza, breza, çanta, togza, vezme gjerdanë argjendi dhe tunxhi etj, që i përkasin grupit të zejeve artistike, janë në koleksionin e Muzeut Etnografik të Beratit. Janë të marra kryesisht në familjet e kujunxhinjve beratas. Teknika e përdoprur prej mjeshtrave ka qenë ajo e rrahjes, stampimit si dhe e filigranit. Këto objekte flasin qartë për zhvillimin e madh të zejes së argjendarisë në qytetin tonë. Objekte si pjatë zbukurimi, servis ushqimi, tabaka me filigran, pafta mesi, rrip mesi me filigran si dhe veglat e punës së argjendarëve beratas, e lloje të tjerë të shumtë të prodhimeve të argjendarëve flasin qartë për zhvillimin e madh të kësaj zeje.
 
 

 

 

 

 

 

 

   

 

 

 

 

 

 

 
 
Objekte argjendarie të koleksionit të Muzeut Kombëtar Etnografik, Berat
 
Literatura e përdorur
• Llambrini Mitrushi “Zhvillimi i mjeshtërisë së argjendarisë në Shqipëri. Konferenca kombëtare e studimeve Etnografike 28- 30 qershor 1976.
• Evlia Çelebiu ‘Shqipëria 350 vjet më parë” Horizont 2000.
• Zja Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare fq. 155. AMAEF, z/Konsullata e Francës në Janinë, rel. i Podhaskit, dt. 22 gusht 1888.
• Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri.
• Namik Selmani, 1988, Mbi Agathangjel Mbricën, shënime.
• Kartela nr. 103, Agron Polovina muzeu “Onufri”
• AMAEF, Z/Konsullata e Francës në Epir, Janinë 1 korrik 1883.
• Ferid Duka, Berati në kohën Osmane.
• Agron Dingo, Argjendi në Berat 1300 - 1929, shënime.
  home | drejtori | contact us